No text

AKP lëshon mbi 700 mijë euro për disa punëtorë

E Mërkurë 30 Shtator 2015 08:17

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka bërë ekzekutimin e vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për shpërndarje të fondeve të tjera nga pjesa e 20 përqindëshit të dedikuara për punëtorët e kualifikueshëm të Ndërmarrjeve Shoqërore të caktuara.

Pas lëshimit të vendimit të plotfuqishëm nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me ankesat dhe kundërshtimet e punëtorëve të këtyre NSh-ve, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm edhe për 4 ndërmarrje të tjera shoqërore. Shuma e fondeve që do të shpërndahen kësaj radhe është 709 mijë e 629 €uro, kurse nga kjo shpërndarje do të përfitojnë një numër prej 3.014 punëtorëve.

Shuma prej 46, 177 euro është shpërndarë për 145 punëtorë të NSh “Metal Holding”, që gjendet në rajonin e Prishtinës, 31 mijë e 186 euro janë shpërndarë për 7 punëtorë të KB “Bashkimi”, që gjendet në Xërxe, rajoni i Prizrenit, një fond prej 563 mijë e 961 euro janë shpërndarë për 2027 punëtorë të NSh “Ferronikeli”, rajoni Drenas, ndërsa 48 mijë e 305 euro për 835 punëtorë të NSh “Kombinati i Lëkurë-Këpucëve”, në rajonin e Pejës, thuhet në komunikatë”, njofton AKP-ja.

Sipas procedurave në fuqi, transferi i këtyre fondeve është bërë në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në pajtim me 10.5 të Rregullores nr. 2003/13 (me ndryshime).

Në total Agjencia deri më tani ka shpërndarë mbi 103 milionë euro për më shumë se 43 mijë punëtorë dhe ish-punëtorë të NSh-ve. Në ndërkohë, Agjencia është në proces të përgatitjes së dokumentacionit edhe për shpërndarjen e fondeve të 20 përqindëshit për punëtorët e kualifikueshëm të 6 NSh-ve tjera, për çka punëtorët e këtyre NSh-ve dhe opinioni i gjerë do të informohen në një të ardhme të afërt. /Telegrafi/

No text