No text

Pritje e zjarrtë për aktoren e njohur turke, Tyrkan Shoraj

E Marte 25 Dhjetor 2012 18:2

Adhuruesit e kinematografisë turke, të hënën në Prizren kanë organizuar një pritje të zjarrtë për aktoren e njohur nga Turqia, Türkan Şoray (Tyrkan Shoraj). Ata kanë mbushur përplot amfiteatrin e Universitetit të Prizrenit dhe sallën e Shtëpisë së Kulturës. Gjatë tërë kohës kanë brohoritur "I love You, Tyrkan!". Ky entuziazëm i publikut ka lënë pa fjalë aktoren turke, e cila njihet si "Sulltanesha" e kinematografisë turke.

"Ju falënderoj nga zemra. Më keni dhuruar emocione të papërshkrueshme. Nga ky vend ju përqafoj të gjithëve", ka thënë Shoraj në paraqitjen e saj të parë para publikut kosovar.

Në amfiteatrin e UPZ-së ajo ka promovuar librin e saj të titulluar "Kinemaja ime dhe unë". Ka shpjeguar se në të ka përshkruar shumë përjetime nga jeta dhe puna e saj artisike, që ka zgjatur disa dekada. Ndërsa në Shtëpinë e Kulturës ka marrë pjesë në hapjen e Javës së Filmit Turk, që mbahet për herë të gjashtë në Kosovë, e ku sivjet do të shfaqen pesë filma, nga 24 deri më 28 dhjetor.

Diva e kinemasë turke ka pranuar se është emocionuar me dashurinë që ka shfaqur publiku kosovar për të. "Me të pranuar ftesën për paraqitje në Kosovë, pa menduar fare kam thënë po. Tash po e vërej se entuziazmi juaj është shumë përtej pritjeve që kam pas. Prandaj jam mirënjohëse që ma keni dhuruar njërin prej kujtimeve më të mira të jetës sime", ka thënë ajo. Problemet teknike me mikrofona kanë bërë që fjalimi i saj të ndërpritet në disa raste. Megjithatë kjo aspak nuk i ka penguar aktores që ka luajtur në afër 300 filma. Madje është shprehur se teknika nuk mund të ndaloj paraqitjen e shkëndijave të gëzimit mes saj dhe publikut. "Ne po komunikojmë dhe po kuptohemi me zemrat dhe sytë tanë", është shprehur ajo. Në anën tjetër publiku me brohoritje dhe duartrokitje shpesh herë ka ndërprerë fjalën e saj. E ka pas edhe zonja të moshuara që e kanë dëshmuar adhurimin e tyre ndaj Shorajit me fotografi të vjetra, në periudhën kur ajo ka 'sunduar' në kinematografinë turke.

Tyrkan Shoraj ka debutuar në vitin 1960 në moshën 15 vjeçe me filmin "Aşk Rüzgarı". Suksesi i saj ka qenë i menjëhershëm. Në pesë vitet e ardhshme ka luajtur në afër 60 filma, duke qenë aktorja më e suksesshme turke me role në 100 filma vetëm në një dekadë. Gjatë karrierës së saj pesë dekadëshe ka luajtur në afër 300 filma dhe ka fituar shpërblime të shumta, sikurse edhe nofkën "Sulltanesha".  /koha/

No text