No text

Shoraj takohet me adhuruesit edhe në Prishtinë

E Marte 25 Dhjetor 2012 23:15

Jeta e saj është një udhëtim i gjatë. Por në luftë me kohën ka dalë triumfuese. Fytyra e adhuruar përtej ekranit nuk numëron aq rrudha sa për të dëshmuar moshën e saj. Gati shtatë dekada jetë nuk e kanë zbehur madhështinë e imazhit të saj. Derisa epiteti i divës është më i gjallë se kurrë.

Vajza që dikur kishte pushtuar ekranet e televizioneve turke, sot numëron në sirtarin e saj mbi dyqind role. Por fama e adhurimi për të i kanë tejkaluar kufijtë e Turqisë. Aktorja turke Tyrkan Shoraj gjithmonë ka pasur dashuri më të veçantë për Ballkanin, derisa në batalionin e admiruesve të saj janë rreshtuar edhe kosovarët.

Vajza me bukurinë përrallore që është adhuruar nga kosovarët, nëpërmjet televizioneve turke të llojit “Kanal D”, ka bërë vizitën e parë në Kosovë. Diva e kinematografisë turke ka shkelur shtetin më të ri evropian me ftesë të Ambasadës turke në Kosovë. Nikoqirja e Ambasadës, Songul Ozan, pasditen e së martës ka shtruar drekë në rezidencën e saj, për të nderuar aktoren me nam.

Ndërsa në orët e para të mbrëmjes në amfiteatrin e Fakultetit Filologjik është takuar me adhuruesit e saj në Prishtinë. Me këtë rast ajo ka promovuar librin e saj, "Kinemaja ime dhe unë".

Shoraj ishte pritur ditë më parë edhe nga zv/kryeministrja kosovare Edita Tahiri , e cila shprehu bindjen se kjo vizitë do t’i shërbejë forcimit të marrëdhënieve kulturore mes Kosovës dhe Turqisë, ndërsa vlerësoi lart figurën e Shoray, duke e cilësuar si divën e kinematografisë turke.

 

No text