No text

Ekspozohet “Përralla ballkanike” e bashkëjetesës

E Enjte 17 Janar 2013 22:44

Raporti historik mes Ballkanit dhe Turqisë vërehet edhe te ndarja që i është bërë fotografive të ekspozitës. “Pushtimi”, “Adhurimi”, “Duke jetuar së bashku”, “Modernizimi” dhe “Harresa dhe Përkujtesa” janë titujt e serive të fotografive të ekspozitës së organizuar nga organizata “Ec ma ndryshe”.

Megjithatë, për ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, krejt historia ballkano-turke ka të bëjë vetëm me paqe dhe me dashuri mes vete.

“Kjo ekspozitë u tregon njerëzve të Ballkanit historinë dhe kulturën tonë të përbashkët”, ka thënë Ozan. Sipas saj, këto fotografi nga vende të ndryshme të Ballkanit tregojnë sesi në Ballkan, gjatë shekujve është bërë jetë e qetë dhe e lumtur si shoqëri multikulturore dhe multietnike.

”Kjo bashkëjetesë paqësore dhe kjo ndjenjë e bashkëjetesës sot është ajo çfarë na nevojitet për të ndërtuar mirëbesim, tolerancë dhe mirëkuptim”, ka shtuar ambasadorja.

Së fundmi, Ministria e Arsimit ka themeluar një komision i cili do t’i ndryshojë tekstet e historisë nëpër shkollat fillore dhe të mesme në raport me Perandorinë Osmane, duke hequr fjalët që, siç thuhet, janë fyese.

“Për më tepër këto fotografi nuk janë vetëm një koleksion i trashëgimisë kulturore, por edhe na inspirojnë dhe të mos e harrojmë të kaluarën tonë të përbashkët”, ka thënë ambasadorja turke.

Megjithatë, trashëgimia kulturore e sjellë nëpërmjet fotografisë, nuk ka asgjë fyese.

Teqeja e Melanit në Gjirokastër e themeluar më 1800 nga Ali Baba, varri i të cilit ndodhet në pjesën e pasme të strukturës kryesore, “Gazi Evrenos” njëri prej më të famshmëve ndër luftëtarët thuajse të pavarur që drejtoi pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin XIV dhe “Kreta” që konsiderohet si pushtimi më i madh i otomanëve, janë vetëm disa nga 50 rrëfimet që sjellin fotografitë e objekteve të ekspozuara.

Jutta Benzenberg, Samir Karahoda, Kamilo Nollas, Ivan Blazhev dhe Ivan Petroviq janë fotografët të cilët i kanë fotografuar këto objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat gjenden në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi. Ekspozita ka qenë e hapur edhe në Prizren, kur, sipas Hajrullah Çekut, nga “Ec ma ndryshe” është vizituar nga 1 mijë e 500 veta, për vetëm brenda dy javësh. “Projekti i ekspozitës tregon peizazhet dhe praninë otomane e cila zgjati për shumë vite në Ballkan. Kjo tregon për ndjenjën e përbashkët, bashkëjetesën fetare e etnike që kontribuon edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Çeku. “Përralla ballkanike” përfshin objekte të rëndësishme si Tyrbja e Sulltan Muratit në Mazgit, Xhamia e Sulltan Mehmetit II, Sahat-Kulla në Prishtinë, Xhamia e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren, Ura e Terzive, Xhamia e Ethem Beut në Tiranë, Shtabi Ushtarak Otoman në Shkodër, Ura e Bardhë në Vranjë, Varrezat hebraike në Manastir, Tyrbet e Beratit e shumë të tjera.

“Fotografitë janë një dokumentim i veprave, të cilat kërkojnë një vëmendje të shtuar ndaj parandalimit të degradimit të tyre, kjo edhe një thirrje në vete për kujdes profesional ndaj tyre dhe ndaj kësaj trashëgimie kulturore në këto 5 shtete”, ka thënë Çeku.

E për ambasadoren e Turqisë në Kosovës, kjo trashëgimi duhet t’i bëjë të gjithë më të kujdesshëm që ta ruajnë atë. “Dua të theksoj se trashëgimia nuk është vetëm otomane por është vlerë botërore”, ka thënë Ozan./koha/
 

No text