No text

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin

E Enjte 24 Shtator 2015 13:14

Besimtarët shqiptarë, dhe ata në të gjithë botën, sot po festojnë Kurban Bajramin.

Për nder të kësaj festë, e cila lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim, besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë, zakonisht dele ose qengj, si kurban dhe mishin e ndajnë me të varfrit dhe familjarët.
Besimtarët mysliman nga Kosova janë mbledhur nëpër xhamitë e komunave të tyre.

Në Prishtinë që nga ora 06:00 ata janë duke e falur Bajramin në Xhaminë e Madhe.

Besimtarët në Shqipëri janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin e Kurban Bajramit, ndërsa në Kosovë, manifestimi qendror për këtë festë po mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.

Për nder të kësaj feste, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, duke thënë se “në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare”.

Me një urim për këtë festë, të gjithë besimtarëve myslimanë, iu është drejtuar edhe kreu i bektashinjve, Baba Mondi. “Mbarë bota myslimane do të përjetojë emocionet e ditës së Kurban Bajramit, mëshirës universale dhe mirësisë hyjnore. Si çdo ditë e vitit hyjnor, ne presim 24 shtatorin me urimet më të mira për familjen, për njëri-tjetrin, për fqinjët tanë, të kujtdo besimit të qoftë, për kombin që të ecë në rrugën e prosperitetit”, uroi ai.

Ndërkohë, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke thënë se, vlerat e mirëfillta të kësaj feste manifestohen përmes sakrificës, devotshmërisë, solidaritetit e humanizmit. 

No text