No text

Ministri Rrahmani hap telefonin për qytetarët: Raportojeni korrupsionin në Shëndetësi

E Mërkurë 30 Shtator 2015 13:41

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në emisionin “Info - Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se ai tash e tutje e ka të hapur telefonin për t’i pranuar të gjitha raportimet që vijnë nga ana e qytetarëve të Kosovës, për abuzimet eventuale të punëtorëve shëndetësorë - aferat e korrupsionit.

Ai ka sqaruar se qysh prej fillimit të punës së tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ka theksuar se do të jetë i përkushtuar që të kthejë besimin e qytetarëve të Kosovës, te shëndetësia kosovare, transmeton Telegrafi.

“Nuk mund t’i tolerojmë disa prej punëtorëve shëndetësorë, e të cilët janë shumë pak, ta keqpërdorin pozitën e tyre. Jam i vendosur që ta luftoj këtë dukuri negative”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka shtuar më tej se numri i tij i telefonit është i hapur për qytetarët dhe do t’i merr parasysh raportimet e qytetarëve, por se ato sipas tij, duhet të jenë të argumentuara më kohë, vend, emër dhe mbiemër.

“Nuk duhet të futen të gjithë punëtorët shëndetësorë në të njëjtën kategori. Sepse kemi punëtorë shëndetësorë të ndershëm dhe të zellshëm. Fatkeqësisht është krijuar percepcioni që asnjë mjek nuk punon pa ryshfet”, ka shtuar Rrahmani. /Telegrafi/

No text