No text

Bie me 4 mijë numri i fëmijëve që regjistrohen për herë të parë në shkollë

E Mërkurë 2 Shtator 2015 15:20

Me fillimin e vitit të ri shkollor, dalin edhe shifrat e para alarmante. Kështu, numri i fëmijëve të regjistruar në klasën e parë për këtë vit ka një rënie me 4 mijë fëmijë, krahasuar me një vit më parë.

Nga 32 mijë fëmijë që nisën shkollën vitin e kaluar, këtë vit kanë nisur klasën e parë vetëm 28 mijë fëmijë në të gjithë Kosovën.

Vetë ministria e Arsimit pranon rënien e theksuar të nxënësve që nisin klasën e parë dhe për këtë japin si arsye rënien e lindshmërisë dhe migrimin e familjeve.

Trendi i rënies së fëmijëve që regjistrohen për herë të parë në shkollë ka nisur që në vitin 2010, pasi më herët ka qenë në shifrën konstante prej 30 mijë fëmijësh. Në vitin shkollor 2011-2012 u regjistrua rënia e parë në 29 mijë fëmijë, trend që vijoi në vitet më pas.

Nga viti 2005 deri në vitin 2010 numri i nxënësve që regjistruan klasën e parë shkonte në 30 mijë. E në vitin shkollor 2011/12 ra në 29 mijë, ku vazhdoi përsëri me rënie në vitin 2012/13, në 28 mijë.

“Në këtë periudhë 10-vjeçare, është vënë re kjo rënie e theksuar e numrit të nxënësve. Rënia e numrit të nxënësve është duke e përcjellë sistemin arsimor nga viti në vit. Çdo vit ne kemi rënie të numrit të nxënësve”, tha Azem Guri, këshilltar i ministrit të Arsimit.

Numri i përgjithshëm i nxënësve në sistemin e arsimit parauniversitar është mbi 390 mijë nxënës. Prej tyre, 28 mijë janë në klasat e para e 32 mijë në klasat e dhjeta. /tesheshi.com/

No text