No text

Halonen: Kosova duhet të investojë në mësimdhënës

E Mërkurë 9 Shtator 2015 09:17

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, priti në takim ish presidenten e Finlandës, Tarja Halonen, të shoqëruar nga ambasadorja Anne Huhtamaki, me të cilën ka biseduar për gjendjen aktuale në arsimin kosovar dhe punën që po bëhet në të mirë të ngritjes së cilësisë, por edhe të gjithëpërfshirjes.

Ministri Bajrami e falënderoi ish presidenten për ndihmën që po i jep shteti i saj arsimit në Kosovë, ndërsa falënderoi edhe për ndihmën dhe kontributin që ka dhënë për vendin tonë ish presidenti Ahtisari.

Ministri tha se MAShT e ka prioritet ngritjen e cilësisë dhe në këtë drejtim i nevojitet edhe ndihma e partnëve.

“Dëshirojmë të krijojmë raporte mes universiteteve tona dhe atyre të Finlandës, që të mund të shkëmbejmë profesorë e studentë dhe të marrim përvojat e mira nga shteti juaj”.

Ish presidentja e Finlandës, Tarja Halonen theksoi se për një arsim cilësor, investimi më i madh duhet të jetë te mësimdhënësit, ndërsa tha se bashkëpunimi mes vendeve është shumë i rëndësishëm dhe gjithmonë në të mirë të arsimimit të përgjithshëm.

Gjatë takimit u bisedua edhe për arsimin profesional dhe lidhjen e tij me ekonominë, përgatitjen e mësimdhënësve, digjitalizimin e shkollave dhe për projektet që ka MAShT në këtë drejtim.

 

No text