No text

Bruksel, arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave

E Mërkurë 30 Shtator 2015 09:1

Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri, i cili është në Bruksel për raundin e ri të dialogut ndërshtetërorë në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka arritur marrëveshje për njohjen reciproke të Diplomave mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë marrëveshje palët u zotuan njohjen reciproke të diplomave si dhe respektimin e procedurave dhe afateve sipas legjislacionit respektiv të secilit shtet. Kjo marrëveshje përfshinë të gjitha nivelet universitare (Bachellor, Master dhe Doktoratë), diplomat e shkollave të mesme, arsimin profesional, si dhe nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës evropiane të kualifikimeve, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra për Komunikim e Kryeministrit, në të cilën gjithashtu thuhet se në përbërje të delegacionit kosovar ishin edhe ministri Arsim Bajrami, Qemajl Marmullakaj, Hysen Bytyci dhe Arjeta Rexha.

Në njoftim thuhet se "procesi i certifikimit të diplomave të institucioneve respektive të arsimit do të vazhdoj përmes certifikimit nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE), të cilat pastaj do të njihen nga shtetet përkatëse për çështje dhe qëllime të tregut të punës apo për studime të mëtejme, varësisht nga interesimi i aplikantëve".

"Kjo marrëveshje i jep fund periudhës së dështimit të njohjes së diplomave universitare nga ana e Serbisë, dhe kërkon që brenda afatit prej pesë muajsh të njihen të gjitha diplomat e certifikuara nga ana e AUE në një numër prej mbi 400 diploma të certifikuara të cilat Serbia ka dështuar ti njoh deri më tani".

Po ashtu, me këtë marrëveshje përcaktohet mekanizmi mbikëqyrës i procesit të zbatimit të Marrëveshjes që përbëhet nga tre palët (pala e Kosovës, BE-së, dhe Serbisë) dhe që ka obligim të raportoj, vlerësoj dhe përmirësoj sipas nevojës procesin e zbatimit të marrëveshjes.

"Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave do të ndihmoj me theks të veçantë popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës të cilët kryesisht studimet e tyre i kryejnë në institucionet e arsimit në Republikën e Kosovës dhe të cilët kanë nevojë të kthehen dhe të shërbejnë në vendet e tyre për të ndihmuar në zhvillimin e komunitetit shqiptarë në Luginë dhe shoqërisë në përgjithësi".

"Qeveria e Kosovës gjithmonë ka qenë e shqetësuar dhe në vazhdimësi i ka raportuar për pengesat e vëna nga ana e Serbisë popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës në këtë aspekt.

Po ashtu në takimin për diplomat ministrat Tahiri dhe Bajrami, shtruan çështjen e shpërndarjes së teksteve shkollore për Luginën e Preshevës dhe kërkuan ndihmën e BE-së që dërgesa e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë të zhbllokohet dhe të dërgohet tek studentët. Pala serbe mori obligim që brenda dy ditësh të jap përgjigje për këtë çështje. Ndërsa delegacioni i Kosovës konfirmoi zbatimin e reciprocitetit për këtë çështje", thuhet në njoftim. /Telegrafi

 

No text